Vota e Diasporës Shqiptare: Infuzion për Demokracinë në Shqipëri

Vota e Diasporës Shqiptare: Infuzion për Demokracinë në Shqipëri

Vota e  diasporës është kritike për të ardhmen e Shqipërisë

Vendet demokratike kanë institucione politike që pasqyrojnë vullnetin e qytetarëve të tyre, dhe jo vullnetin e udhëheqjes politike. Fatkeqësisht, Shqipëria nuk është një nga këto vende. Gjysma e qytetarëve të saj nuk mund të votojnë me lehtësi, dhe asnjë nuk voton direkt për përfaqësuesit e tyre në parlament.

A do të ndryshojë kjo në 2021? Po, jo, ndoshta? Nëse e kaluara parashikon të ardhmen, atëherë përgjigjja përfundimtare do të jetë JO, por përgjigjia duhet të jetë PO për shumë arsye.

Rritja e pjesëmarrjes së diasporës në zgjedhje do të bënte të mundur që mbi 1.4 milion qytetarë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit të votojnë dhe do të rriste legjitimitetin demokratik në Shqipëri. Siç u tha nga Ministria e Shtetit për Diasporën në korrik 2018, “konsiderohet se zgjedhjet në Shqipëri dhe institucionet që rrjedhin prej tyre kanë ‘legjitimitet’ jo të plotë.

Për një vend si Shqipëria, përfshirja e diasporës së saj të madhe në procesin politik paraqet një mundësi për të rritur sensin e identitetit shqiptar në të gjithë botën. Të gjithë duhet të duan një diasporë shqiptare të fortë dhe me ndikim si diasporat irlandeze, indiane apo izraelite, të cilat ruajnë dhe forcojnë lidhjet e tyre politike, ekonomike dhe sociale me atdheun. Askush nga ne nuk duhet të pranojë një diasporë të dobët dhe një vend të dobët siç e kemi tani, dhe të cilin do ta kemi përgjithmonë të tillë derisa të dy grupet të luajnë sikur të jenë një ekip futbolli dhe jo dy.

Votimi është forma më themelore e pjesëmarrjes politike dhe mënyra më e mirë për të dëgjuar zërin e diasporës shqiptare. Pa votimin e diasporës, ka më pak nxitje që diaspora të forcojë veten e saj dhe që diaspora dhe të gjitha institucionet brenda Shqipërisë të punojnë së bashku për një Shqipëri më të mirë. Ndryshe nuk do të mund të ndodhë dhe vetëm një naiv do të besojë se do të mund të ndodhë.

Sigurimi i mundësive për të ushtruar të drejtën e votës tregon interesin e shtetit për të trajtuar në mënyrë të barabartë të gjithë qytetarët, pavarësisht se ku ata jetojnë, dhe interesin e tij për të përmirësuar cilësinë e jetës për të gjithë qytetarët. Siç thuhet nga Komisioni i Venecias, “Komisioni Evropian për Demokraci përmes Ligjit sugjeron që shtetet, duke pasur parasysh lëvizjen evropiane të qytetarëve, dhe në përputhje me situatën e veçantë të shteteve të caktuara, të adoptojnë një qasje pozitive ndaj të drejtës së votës së qytetarëve që jetojnë jashtë vendit, pasi kjo e drejtë nxit zhvillimin e qytetarisë kombëtare dhe evropiane.” Ose, për ta thënë më qartë, pa një angazhim serioz në diasporë, rruga e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian do të jetë shumë më e vështirë.

Ku jemi tani

Kur filloi reforma zgjedhore, kishte shpresë se votimi jashtë vendit dhe votimi me listë të hapur do të adresohej në rishikimet e Kodit Zgjedhor të Shqipërisë. Në fakt, rëndësia e votës së diasporës u pranua gjatë Samitit të dytë të Diasporës Shqiptare në vitin 2019, kur Kryeministri Rama dhe Ministri i Shtetit për Diasporën Majko, premtuan se do të adresojnë këtë çështje në kohën e duhur.

Megjithatë, javën e kaluar, drejtuesit e partive më të mëdha politike të Shqipërisë arritën një marrëveshje mbi parimet e reformës zgjedhore, por deri më tani ka vetem premtime në lidhje me votimin e diasporës ose procedurat e votimit me lista të hapura – dy çështjet më të rëndësishme për të siguruar që zëri i qytetarëve të dëgjohet.

A do të thotë kjo që këto çështje janë të parëndësishme për udhëheqjen politike shqiptare apo se  këto çështje thjesht do të trajtohen në një datë të mëvonshme përmes rishikimeve në kodin zgjedhor siç është sugjeruar nga disa liderë politikë? A ka kohë të mjaftueshme për të adresuar në mënyrë adekuate të gjitha çështjet ligjore dhe teknike para zgjedhjeve të vitit 2021? Është koha që udhëheqja politike në Shqipëri tu përgjigjet qartë dhe publikisht këtyre pyetjeve. Pa përgjigje, skepticizmi i thellë dhe mungesa e besimit që kanë shqiptarët brenda dhe jashtë Shqipërisë për udhëheqjen e tyre politike do të përkeqësohen dhe dëmtojnë më tej të ardhmen e Shqipërisë.

Hapat përpara në Reformën Zgjedhore dhe Votimin e Diasporës

Për të filluar trajtimin e këtyre çështjeve, udhëheqja politike nga të gjitha partitë kryesore në Shqipëri duhet:

  • Të sigurojë që minimalisht votimi me postë të jetë i disponueshëm për të gjithë qytetarët shqiptarë në të gjithë botën për zgjedhjet e vitit 2021 dhe të krijojë një grup pune që të përfshijë anëtarët e Diasporës në monitorimin e të gjitha procedurave të votimit me postë dhe të sigurohet që këto hapa do të ndërmerren në kohën e duhur për të garantuar zbatimin real dhe të qetë të tyre;
  • Të garantojë që grupi i propozuar i punës të përbëhet nga zyrtarë qeveritarë dhe të komisionit zgjedhor, anëtarë të Këshillit Kombëtar Koordinues të Diasporës (i cili ka filluar një peticion online për të mbështetur të drejtat e votimit nga diaspora), udhëheqës të organizatave të diasporës të cilat kanë përgatitur analiza të shkruara mbi votimin e diasporës, si dhe anëtarë të tjerë të diasporës shqiptare;
  • Të implementojë masat e rekomanduara nga Ministria e Shtetit për Diasporën para Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore të cilat duket se janë lënë pas dore, pavarësisht një analize gjithëpërfshirëse të bërë nga Ministria e Shtetit për Diasporën, dhe të sigurojë që burimet e nevojshme financiare të jenë në dispozicion për reformën zgjedhore;
  • Të organizojë një takim publik për të diskutuar reformën zgjedhore dhe votimin jashtë vendit me organizatat e interesuara të diasporës shqiptare, udhëheqësit, anëtarët e tjerë të pavarur të diasporës, dhe përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar;
  • Të kryejë një studim profesional të anëtarëve të Diasporës shqiptare të cilët e kanë moshën e votimit për të kuptuar më mirë shqetësimet dhe nevojat e tyre në mënyrë që ato të merren parasysh në formulimin e politikave dhe procedurave të votimit në diasporë për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021; dhe
  • Të punojë së bashku me organizatat në Kosovë dhe vendet e tjera që janë të njohur me çështjet e votimit në diasporë, të cilat mund ta këshillojnë Shqipërinë sesi të zbatojë më mirë një program për votimin nga jashtë vendit gjatë 12 muajve të ardhshëm.

Çfarë ofron (premton) e ardhmja?

Zgjedhjet e përgjithshme në 2021 janë vendimtare për të ardhmen e Shqipërisë. Nëse ato nuk bazohen në një reformë serioze elektorale që reflekton vullnetin e popullit dhe zërin e diasporës, atëherë Shqipëria do të humbasë një mundësi të artë përsëri. Ne shpresojmë se reforma e vërtetë do të fillojë një epokë të re dhe më të hapur demokratike në politikën shqiptare.

Pjesëmarrja maksimale e votuesve në zgjedhjet e ardhshme do të rrisë legjitimitetin e institucioneve politike shqiptare. Sidoqoftë, kjo do të ndodhë vetëm nëse lidershipi politik i Shqipërisë zbaton një reformë serioze zgjedhore që respekton të drejtat e të gjithë qytetarëve duke përfshirë votimin jashtë vendit dhe votimin me listë të hapur për deputetët në Parlament. Çdo gjë më pak se kjo do të jetë një dështim demokratik që populli i Shqipërisë dhe diaspora e madhe shqiptare nuk do ta pranojnë apo harrojnë.

Mbi 150 vende të botës dhe mbi 40 në Evropë e aplikojnë votimin e diasporës – Shqipëria nuk është një prej tyre. Është koha që Shqipëria të ndryshojë këtë, ndërkohë që kërkon të bëhet një komb modern dhe anëtar në BE. Është koha për lidershipin politik të Shqipërisë të heqëfrikën dhe kryesisht injorimin ndaj diasporës dhe të heqë frikën ndaj reformës zgjedhore, dhe në vend të kësaj, t’i përqafojë këto si të nevojshme për një të ardhme të ndritshme për Shqipërinë. 

Për më tepër, duke marrë parasysh mungesën e varësisë ekonomike të diasporës shqiptare nga partitë politike të Shqipërisë dhe pozicionin e saj të fortë kundër korrupsionit (përfshirë këtu edhe Kosovën), votimi i diasporës do të ushtronte presion të nevojshëm për reformën demokratike. Do të ndihmonte për të nxitur ndryshimet demokratike, ekonomike dhe sociale që do të kërkohen nga Shqipëria kur të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

Miliona shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë janë një potencial i shkëlqyer e i pashfrytëzuar për Shqipërinë në botën tonë globale gjithnjë e më të lidhur. A do të vazhdojë Shqipëria të jetë si një skuadër e dobët futbolli me vetëm gjysmën e lojtarëve të saj me uniformë – përfshirë disa prej lojtarëve të saj më të mirë – sepse nuk ka menaxhim të skuadrës që vlerëson vlerën e të gjithë lojtarëve të saj? Apo menaxhimi do të zgjohet më në fund dhe do të kuptojë që ekipi mund të përmirësohet? Shumë shpejt do ta zbulojmë, dhe ne së bashku me qindra mijëra shqiptarë në mbarë botën jemi të gatshëm të luajmë pa marrë parasysh se çfarë vendosin drejtuesit.

10 qershor, 2020

Fondacioni Global Shqiptar

Organizata Germin

Share:

Leave your comments